Mirë se vini…
Trainkos Sh.A si kompani e re ka filluar aktivitetin e saj më 1 shtator 2011. Deri më këtë datë kanë qenë Hekurudhat e Kosovës ato të cilat përveç infrastrukturës së saj kanë mbuluar edhe operimet me trena si në transport të mallrave ashtu edhe në atë të udhëtarëve.
Hekurudhat e Kosovës kanë pasur monopol mbi operimet hekurudhore për shkak të rrethanave dhe sistemit të organizimit në të kaluarën.
Me pavarësimin e Kosovës nga pushtuesi, shoqëria jonë bën përpjekje të mëdha që mbi bazën e parimeve të demokracisë, përveç tjerash, të mundësojë edhe zhvillimin e lirë të ekonomisë së tregut e të konkurrencës.
Sëkëndejmi, bazuar në këtë parim Qeveria e Kosovës më 26.02.2010 merr vendim që Hekurudhat e Kosovës Sh.A të ndahen në dy kompani publike: Infrastrukturën e Hekurudhave të Kosovës Sh.A – INFRAKOS dhe Operimet me Trena të Hekurudhave të Kosovës Sh.A – TRAINKOS.
Vendimit të qeverisë për këtë ndarje i ka paraprirë edhe kërkesa e Komisionit Evropian e parashtruar para nesh si një standard që duhet përmbushr për të ecur drejt integrimeve evropiane. Realizimi i këtij vendimi është arritur më 1 shtator 2011. Prandaj, mund të themi se që nga kjo datë Trainkos Sh.A si trashëgimtare e Hekurudhave të Kosovës bëhen operatori i parë në fushën e operimit me trena.
Në vitin 2012, kur pritet të miratohet edhe Deklarata e Rrjetit, procesi i ndarjes së HK-së mund të konsiderohet i përfunduar tërësisht dhe vetëm pas kësaj Kosova vëçse përfundon ndërtimin e bazës ligjore për mundësinë e futjes edhe të operatorëve tjerë hekurudhorë në tregun e saj qofshin ata operatorë të brendshëm apo nga jashtë.
Por, historiku i Trainkos nuk është vetëm kaq. Ai lidhet me ndryshimet e mëdha shoqërore, politike e shkencore, me revulucionin industrial dhe marrjen hov të tij, para 137 vitesh kur në Kosovë ndërtohet vija e parë hekurudhore, në relacionin Hani i Elezit – Fushë Kosovë – Mitrovicë, pikërisht në vitin 1874. Në vitet më pas janë ndërtuar edhe vijat tjera hekurudhore të cilat kanë një shtrirje në prej 333, 451 km vijë të hapur dhe vijat industriale të cilat kapin gjatësinë prej 103,4 km.
Sot vijat hekurudhore bëjnë lidhjen e të gjitha qendrave më të rëndësishme të Kosovës përveç Gjakovës dhe Gjilanit. Vijat e hekurudhave të Kosovës kanë
lidhje të drejtpërdrejtë edhe me shtetet fqinje si me Maqedoninë e Serbinë dhe përmes tyre edhe me shtetet tjera të rajonit duke i siguruar kështu vijave tona
hekurodhore edhe lidhjen ndërkombëtare.
Të gjitha etapat e zhvillimit të komunikacionit hekurudhor në Kosovë janë të lidhura me sundues e pushtues të ndryshëm të kohës të cilët kishin interesa të ndryshme e të kundërta me interesat e popullatës sonë. Shpeshherë qëllimi i tyre lidhej jo me zhvillimin e përparimin e këtij vendi, por me shfrytëzimin dhe eksploatmin e resurseve natyrore shumë të pasura të tij. Në këtë kuptim zhvillimi i transportit hekurudhor ishte mundësi e madhe për ta. Ishte periudha e sundimit nga Perandoria Osmane kur u ndërtua vija e parë hekurudhore në Kosovë, më pas jo të vogla qenë ndikimet tjera në këtë aspekt nga austro-hungarezët, pushtimi serbosllav e deri në kohën e ndërtimit të shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës.
Fillimi i transportit të mallrave me hekurudhë e zëvendëson transportin e deriatëhershëm me kafshë, hekurudhat zhvillohen shumë shpejt sa që për një kohë të gjatë mbajnë primatin e transportit të përgjithshëm tokësor. Me fillimin e zhvillimit të industrisë për prodhimin e automjeteve transportuese rrugore, fillon edhe humbja e primatit të transportit me hekurudhë. Por, prapë se prapë deri në vitet 1968 hekurudha ishte transportuesi kryesor i mineraleve dhe
prodhimeve të industrisë së rëndë. Megjithëatë transporti hekurudhor edhe sot vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm dhe me ndikim të lartë si në
zhvillimin ekonomik ashtu edhe në aspektin social.
Vendet më të zhvilluara kanë investuar aq shumë në transportin hekurudhor duke integruar të arriturat shkencore e teknologjike brenda kësaj fushe. Bile në këto vende as që mund të merret më mend mungesa e transportit hekurudhor. Prandaj, edhe ne synojmë në një zhvillim të tillë, sepse përfitimi do të jetë i gjithanshëm.
Pra, përkundër zhvillimit të transporteve tjera, transporti hekurudhor ende vazhdon të ketë disa përparësi ndaj tyre. Këto përparësi mund të përkufizohen si në aspektin ekologjik, atë të sigurisë, shpejtësisë, saktësisë por nuk janë prapa as në komoditet. Zhvillimi dhe shfrytëzimi i transportit hekurudhor do të ndikonte shumë edhe në lirimin e rrugëve dhe të autostradave nga qarkullimi i madh i automjeteve e sidomos nga
transportuesit e rëndë rrugor. Në këtë mënyrë edhe jetëgjatësia e këtyre rrugëve do të zgjatej më shumë e mbi të gjitha shumë jetë njerëzish do të shpëtoheshin.