Hyrjet në stacione dhe në lokalet e dedikuara për udhëtarë ju lejohen të gjithë atyre të cilët kanë blerë biletat për të udhëtuar dhe të gjithë atyre të cilët mendojnë për të blerë bileta për të udhëtuar. Në tren mund të hyjnë të gjithë personat të cilët kanë bileta të vlefshme të udhëtimit. Kontrata për udhëtim në mes të udhëtarit dhe hekurudhës është arritur në momentin kur udhëtari e ka blerë biletën e udhëtimit dhe ka paguar për të vlerën e caktuar për udhëtim. Bileta e udhëtimit është dëshmi mbi arritjen e marrëveshjes për udhëtim dhe i jep udhëtarit të drejtën në udhëtim me hekurudhë në afatin e caktuar, në relacionin e caktuar për klasin dhe llojin e trenit për të cilin është shënuar. Biletat e udhëtimit i jep personi i autorizuar në tren (konduktori) dhe arka e udhëtarëve nëpër stacionet hekurudhore.
Blerja e biletave
Udhëtari biletën e udhëtimit duhet ta siguroj në arkën e stacionit ose në tren nëse këtë nuk e ka siguruar në arkë.
Hyrja në tren i lejohet udhëtarit i cili posedon biletën e udhëtimit, vetëm atëherë kur ende nuk është dhënë shenja për nisjen e trenit.
Vlefshmëria e biletave
Afati i vlefshmërisë së biletës së udhëtimit fillon të rrjedhë nga ora 00.01 e ditës së parë të afatit të vlefshmërisë i cili është i shënuar në biletën e udhëtimit. Udhëtimi duhet të kryhet me trenin i cili me rendin e udhëtimit arrin në stacionin më të afërm më së vonit deri në ora 24 e ditës së fundit të vlefshmërisë.
Ndërprerja e udhëtimit
Me biletën e udhëtimit për udhëtim në një drejtim lejohet një ndërprerje e udhëtimit, ndërsa me biletën kthyese të udhëtimit lejohet një ndërprerje e udhëtimit në shkuarje dhe një në kthim, por në të dy rastet me vërtetimin e detyrueshëm në stacionin ku bëhet ndërprerja e udhëtimit (vërtetimi i ndërprerjes së udhëtimit kryhet menjëherë pas daljes nga treni, nga ana e shefit të stacionit apo e punëtorit përgjegjës). Në qoftë se ndërprerja e udhëtimit nuk është vërtetuar, bileta e udhëtimit nuk do të vlej për të vazhduar udhëtimin, gjegjësisht te biletat kthyese të udhëtimit nuk vlen vetëm për udhëtimet në vazhdim në shkuarje. Me ndërprerjen e udhëtimit nuk vazhdohet afati i vlefshmërisë së biletës të udhëtimit.
Shërbimet e autobusëve
Nga/në stacioni i Fushë Kosovës keni lidhje direkte për/nga Prishtina në çdo 10 minuta.
Gjërat e gjetura dhe të humbura
Gjësendet e gjetura dhe të humbura në trenat dhe stacionet hekurudhore, mblidhen dhe ruhen në stacionin hekurudhor në Fushë Kosovë. Mbledhja e gjësendeve bëhet gjatë ditëve të punës nga e hëna deri të premten ju mund te kontaktoni lidhur në numrin kontaktues +381 38 550 550 242.