Bashkëpunimi me Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut – kusht i rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve cilësore në transportin hekurudhor
Me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore në transportin hekurudhor, drejtues dhe udhëheqës nga Hekurudhat e Kosovës Trainkos Sh.A. vizituan Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut.
Nol Dedaj, Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, drejtorët, Blerina Shamolli dhe Shaban Neziri së bashku me Gelor Shala, Kryeshef Ekzekutiv dhe Sefedin Sefaj, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Departamentit për Zhvillimin e Biznesit në HK-Trainkos Sh.A, takuan udhëheqësit e Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut Transport Sh.A-Shkup.
Përfaqësuesit e HK-Trainkos Sh.A, në këtë takim, u priten nga Majan Vejseli, Drejtor i Përgjithshëm dhe Kryetar i Bordit të Drejtorëve të Hekurudhave të Republikës së Maqedonisë së Veriut Transport Sh.A-Shkup, Liridon Useini, Shef i Kabinetit të Drejtorit të Përgjithshëm, Erkan Zeqiri, Këshilltar Ligjor, Milço Smilevski, Drejtori i Transportit të Mallrave dhe Brahim Ajvazi, Drejtori i Marketingut dhe Shitjes.
Në këtë takim u bisedua rreth bashkëpunimit në fushën e transportit hekurudhor më qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore si për qytetarët ashtu edhe për bizneset e të dyja vendeve.
Temë e diskutimit ishte edhe funksionalizimi i marrëveshjes mes dy shteteve, për pikat e përbashkëta të kontrollit kufitar edhe në transportin hekurudhor, e cila pritet të finalizohet në fillim të vitit 2023. Në bazë të kësaj marrëveshje, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, në Han të Elezit do ta kenë një pikë të përbashkët kufitare për shërbime të transportit doganës, policisë dhe fitosanitare. Kjo do të ndikojë dukshëm në shkurtimin e kohës së qarkullimit të trenave.
Gjithashtu, nga Drejtor i Përgjithshëm u premtua se do të ketë mbështetje për HK-Trainkos Sh.A. në fushën e teknologjisë së avancuar, siç mund të jetë sistemi i kontrollit GPS për mjetet lëvizëse hekurudhore, të cilin e përdorin edhe vetë suksesshëm.
Ndërsa, pas diskutimeve rreth problemeve në transportin e mallrave, Hekurudhat e Republikës së Maqedonisë së Veriut Transport Sh.A-Shkup, u zotuan se kërkesat e HK-Trainkos Sh.A për sigurimin e lokomotivave për transport deri në kufi dhe për sigurimin e vagonëve (EAS) sipas nevojës për klientët tanë do të trajtohen me prioritet.
Diskutimet me mirëkuptim të dyanshëm garantojnë bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të frytshëm për veprimtarinë që zhvillojmë.
Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut janë partner strategjik për HK-Trainkos Sh.A, si në ofrimin e shërbimeve të transportit hekurudhor ashtu edhe në zhvillimin e përgjithshëm të transportit hekurudhor në vendin tonë.