Hekurudhat e Kosovës Trainkos Sh.A. pas një ndërprerje 2 mujore të qarkullimit të trenave në linjën Prishtinë – Pejë – Prishtinë sot kanë rifilluar operimet në këtë linjë dhe më këtë rast është bërë edhe përurimi i 10 vagonëve të rinj të udhëtarëve.
Në këtë përurim përveç strukturave drejtuese të HK-Trainkos Sh.A e punonjësve të hekurudhave morën pjesë edhe ministri i Ministrisë së Infrastrukturës z. Pal Lekaj si dhe ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik z. Valdrin Lluka. Gjithashtu në këtë ngjarje pjesëmarrës ishin edhe drejtuesit e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave të Kosovës si dhe udhëheqës nga Menaxheri i infrastrukturës hekurudhore – Infrakos.
Në fillim të ceremonialit të pranishmeve iu drejtua Kryeshefi Ekzekutiv i HK – Trainkos Sh.A, z. Gelor Shala, i cili theksoi se: Sot kam rastin e veçantë t’ju shpreh mirëseardhje të gjithë juve në këtë ditë të shënuar, ku flotës së mjeteve lëvizëse të Hekurudhave të Kosovës Trainkos Sh.A po i shtohen edhe 10 vagonë të rinj të udhëtarëve, të cilët sot do të bëjnë lëvizjen e parë në linjën hekurudhore Prishtinë – Pejë – Prishtinë pas dy maj ndërprerje të operimeve në këtë linjë.
Përurimi i projektit “furnizimi me vagonë të udhëtarëve” dhe rifillimi i operimeve në Linjën e Pejës në mënyrë simbolike u bë me prerjen e shiritit që u bë nga z. Pal Lekaj, Ministër i Infrastrukturës, z. Valdrin Lluka, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, z. Gelor Shala, Kryeshef Ekzekutiv i HK-Trainkos Sh.A dhe z. Sadik Kryeziu, Kryesues i BD të HK-Trainkos Sh.A.
![]() |
Nga tetë trenat e ndërprerë muaj më parë në linjën e Pejës dhe të Hanit të Elezit rifillimi i operimeve do të bëhet vetëm me dy trena në linjën e Pejës (një në shkuarje dhe një në ardhje). Orari i këtyre trenave do të jetë i përshtatshëm për të gjithë ata punëtorë, studentë e qytetarë në udhëtimin e tyre të përditshëm. Shpresojmë se edhe për trenat tjerë Qeveria e vendit do të gjejmundësi të financimit të tyre dhe të gjithë trenat të jenë në shërbim të qytetarëve sipas orarit të mëparshëm.
Trainkos Sh.A brenda një periudhe të shkurtër do ta realizojë projektin e tij për t’i pajisur vagonët me rrjet të internetit me qëllim që udhëtarëve t’u ofrohen shërbime sa më efikase dhe të kenë komoditet gjatë udhëtimit me tren.
Projektit “furnizimi me vagonë të udhëtarëve” u financua nga Qeveria e Republikës së Kosovës.