Shëtitja e fëmijëve të American School of Kosova me tren

Me datën 15.06.2017 me kërkesën e American School of Kosova, është organizuar një shëtitje me tren për fëmijët/nxënësit  e kësaj shkolle. Udhëtimi është realizuar në relacionin Prishtinë – Pejë dhe anasjelltas.

Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh.A. organizojnë udhëtime për shëtitje me tren për fëmijë, fëmijët e këtij Institucioni Shkollor përjetuan kënaqësinë e udhëtimit me tren.

Fillimisht të gjithë fëmijët/nxënësit  e American School of Kosova të organizuar nga edukatoret/mësueset u mblodhën në stacionin hekurudhor në Prishtinë prej nga u akomoduan në dy vagonë të cilët i kishim rezervuar enkas për ta. Në këtë shëtitje të paharruar për të gjithë fëmijët, ku njëherit gati për të gjithë ishte hera e parë që udhëtojnë me tren, ishin afro 150 fëmijë/nxënës.

Gjatë udhëtimit me tren, fëmijët përveç që këndonin dhe luanin mes vete, ata përjetuan edhe bukuritë natyrore të Kosovës të cilat mund ti përjetojnë të gjithë ata që udhëtojnë me tren në të gjitha relacionet ku operon Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh.A.

Me të arritur në stacionin hekurudhor në Pejë, fëmijët/nxënësit në mënyrë të organizuar bënë shëtitje në qytetin e Pejës ku kishin 2 orë për të parë qytetin dhe njëherit për të ngrënë diçka apo edhe për tu freskuar me ndonjë pije të ftoftë.

Pas përfundimit të shëtitjes nëpër qytetin e bukur të Pejës, fëmijët u kthyen sërish në stacionin hekurudhor të Pejës për të hipur në vagonë dhe për tu kthyer sërish në Prishtinë. Ndonëse ishin fëmijë të vegjël dhe ishte moti shumë i nxehtë, fëmijët nuk i ndalën lojërat dhe këngët asnjëherë deri në stacionin hekurudhor në Prishtinë.

Nga përshtypjet e marra nga fëmijët, udhëtimi me tren ishte njëra prej gjërave më të mira që ata kanë përjetuar dhe ishin kënaqur shumë duke shprehur dëshirën që do të vijnë edhe me prindërit e tyre për të përjetuar sërish kënaqësinë që kishin përjetuar gjatë këtij udhëtimi.

Përfaqësuesit e American School of Kosova i falendëruan përgjegjësitë e Hekurudhave të Kosovës – Trainkos Sh.A. që ishin gjatë tërë kohës dhe duke ju organizuar këtë shëtitje në mënyrën më të mirë të mundshme.