Shëtitja e fëmijëve të shkollës fillore “Pjeter Bogdani” me Tren

Menaxhmenti i Trainkos Sh. A mbështeti kërkesën e Shkollës fillore “Pjetër Bogdani” nga Prishtina, për shëtitjen me tren ne relacionin Prishtinë – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Në këtë shëtitje me tren kanë qenë prezent 120 nxënës, që të gjithë nxënës të klasave të treta. Gjatë udhëtimit kemi përshkuar rrugën  prej Prishtinës deri në Fushë Kosovë dhe nxënësit kanë shprehur kënaqësinë e tyre  për këtë shëtitje dhe gëzimi vërehej në fytyrat e tyre. Secila klasë dhe secili nxënës ishin nën mbikëqyrjen e mësueseve të tyre.

Fëmijët me të mbërritur në stacionin hekurudhor në Fushë Kosovë, fillimisht vizituan trenit me avull që është përdorur më herët për tërheqjen e vagonëve ndërsa tani shërben vetëm si një monument me vlerë i ish-Hekurudhave të Kosovës, tani me emrin e ri Trainkos.

Më pastaj, fëmijët vizituan edhe muzeun e ish-Hekurudhave të Kosovës ku panë nga afër mjetet të cilat janë përdorur në hekurudha. Gjithashtu pyetjet nuk munguan nga fëmijët rreth hekurudhave dhe trenave, të cilave me plot kënaqësi iu përgjigjej Ciceroni ynë, Mehdi Berisha.

Në fund, fëmijët morën rrugën nga stacioni hekurudhor në Fushë Kosovë për në stacionin hekurudhor në Prishtinë, ku gjatë gjithë kohës kënga dhe hareja ishin prezentë.

Trainkos mori lëvdata nga udhëheqësit e shkollës fillore “Pjetër Bogdani”, rreth mënyrës së organizimit dhe përkujdesjes së vazhdueshme gjatë gjithë kohës sa fëmijët ishin duke udhëtuar me tren dhe gjatë vizitës bërë stacionit hekurudhor në Fushë Kosovë.