Fushë Kosovë, 29 mars 2016
Hekurudhat e Kosovës Trainkos Sh.A, në një ceremoni të organizuar bënë përurimin e lokomotivës 645, e cila u realizua me mjetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Me rastin e përurimit të kësaj lokomotive, përveç menaxhmentit dhe punëtorëve të HK-Trainkos Sh.A, ishin të pranishëm edhe shumë mysafirë të tjerë si nga institucionet vendore ashtu edhe nga ato ndërkombëtare.
Gjatë kësaj ceremonie në fjalimin e tij, Kryeshefi Ekzekutiv i HK-Trainkos Sh.A, z. Gelor Shala theksoi se vënia në funksion e kësaj lokomotive do të ndihmojë edhe më shumë në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore në transportin e udhëtarëve. Dëshira jonë ka qenë dhe mbetet që udhëtarëve tanë të ju ofrojmë siguri, komoditet dhe kushte më të mira të udhëtimit. Ky është qëllimi jonë, andaj realizimi i projektit do t’i kontribuojë arritjes së tij – theksoi Kryeshefi Ekzekutiv.
“Realizimi i këtij projekti do të na motivojë edhe më shumë në punën dhe angazhimin tonë që qytetarëve të vendit dhe bizneseve t’u ofrojmë shërbime sa më cilësore. Do të gjejmë rrugë e mundësi që mjetet lëvizëse hekurudhore t’i ripërtërijmë. Misionin tonë do ta përmbushim, Trainkosi do të jetë bartës i zhvillimit ekonomik të vendit duke ofruar mundësi konkurruese të transportit dhe me punën tonë do të përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve tanë”.
Në emër të Qeverisë së Kosovës, foli Ministri i Infrastrukturës, z. Lutfi Zharku, i cili theksoi se është për t’u përshëndetur angazhimi i Bordit Drejtues dhe menaxhmentit të lartë të Trainkos-it për modernizimin e mjeteve motorike dhe vagonëve, duke synuar arritjen e standardeve të Bashkimit Evropian me shërbime moderne në transportin hekurudhor.
Në ceremoninë e përurimit të lokomotivës ishte i pranishëm edhe përfaqësues i Ambasadës së Holandës në Prishtinë z. Carel Brands, i cili është koordinator përgjegjës për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare mes dy shteteve.
Përurimi i lokomotivës e cila nga sot do t’i shtohet flotës së mjeteve tjera lëvizëse të HK-Trainkos Sh.A, me prerjen e shiritit në mënyrë simbolike u shënua edhe fillimi i punës së saj në operime.
Prerjen e shiritit e bën Ministri i Infrastrukturës z. Lutfi Zharku, Kryeshefi Ekzekutiv i ARH-së z. Enis Berisha, Udhëheqësja e NJPMNP znj. Flutura Shala, Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të HK-Trainkos Sh.A z. Sadik Kryeziu dhe Kryeshefi Ekzekutiv i HK-Trainkos Sh.A z. Gelor Shala.















