Treni i ditëve të Trashëgimisë Evropiane në Kosovë 2015

Në partneritet me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë / Përfaqësuesi Special i BE, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunën e Pejës, Komunën e Gjakovës, Birrën Peja, Agjensionin për Financim në Kosovë AFK dhe kompanitë hekurudhore Infrakos Sh.A. dhe Trainkos Sh.A., Organizata Joqeveritare për Promovimin dhe Menaxhimin e Trashëgimisë PHM-Perëndim ka shpallur Trenin e Trashëgimisë 2015 e cila është një mundësi për tu kënaqur me vlerat e kulturës lokale, artizanëve, dhe ushqimit tradicional të rajonit të Pejës. Këtë vit vizitorët kanë mundësi të shijojnë edhe bukuritë natyrore me sportet atraktive si Via Ferrata dhe Paraglidge.

Untitled

 

Ky tren ka filluar me datat 10 dhe 11 Tetor 2015 nga Prishtina në Pejë, Deçan dhe Gjakovë si pjesë e kremtimit të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane në Kosovë. Të shtunën (10.10.2015) programi ka përfshirë udhëtimin me tren në relacionin Prishtinë – Pejë, ku më pastaj nga stacioni i trenit në Pejë udhëtarët kanë vazhduar rrugën tek Qendra për Informacion Turistik “Porta West”. Vizitorët aty u njohën me punët artizanale dhe suveniret që ishin punuar nga qytetarët e rajonit të Dukagjinit si dhe me ushqim tradicional. Pjesëmarrësit më pas vizituan Patrikanën e Pejës ku u njohën rreth historisë shumëvjeçare të saj, duke vazhduar më pastaj për te Muzeu Etnologjik. Më vonë ata vizituan edhe Xhaminë në qendër të Pejës “Qarshi Xhamia” për tu takuar sërish tek Sheshi “Haxhi Zeka” dhe për të vazhduar udhëtimin e tyre për te Burimi i Drinit të Bardhë dhe ujëvara në Radac.
Ky udhëtim përfundoi në mbrëmje ku pjesëmarrësit dukeshin të lodhur nga vendet e vizituara, ndërsa udhëtimi me tren nga stacioni i trenit në Pejë deri në Prishtinë ishte një relaksim dhe një çlodhje për ta.

Untitled

 

Të dielën (11.10.2015) vizitorët kanë udhëtuar me tren në relacionin Prishtinë – Klinë, ndërsa nga aty me autobus kanë vazhduar rrugën për në qytetin e Gjakovës, përkatësisht kanë vazhduar me vizitat në Qarshin e Madhe dhe Zyrën e Turizmit në Gjakovë. Është vazhduar me vizita në Xhaminë e Hadumit dhe në Muzeun Etnologjik. Gjithashtu është vizituar edhe kisha Ortodokse dhe nga aty vizitorët me autobus kanë udhëtuar në drejtim të Deçanit për të vazhduar me agjendë e cila kishte destinacion Manastirin e Deçanit. Ky ishte edhe vendi i fundit për tu vizituar, para se autobusi të nisej në drejtim të Pejës, përkatësisht stacionit të trenit në Pejë, prej nga vizitorët me tren do të kthehen për në Prishtinë.

Gjatë tërë kohës ka pasur interesim nga vizitorët që të informohen edhe rreth kompanisë Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh.A., orareve të trenave, etj.

Të gjithë të interesuarit njoftohen se ky tren për Promovimin e Trashëgimisë është në qarkullim edhe me datat 17, 18 dhe 24 e 25 Tetor 2015 me nisje nga Prishtina në ora 09:00. Këtë vit bileta prej 3€ do jetë kontributi juaj në promovimin e vlerave të trashëgimisë. Numri i ulëseve është e kufizuar në 120 (njëqind e njëzet) udhëtarë e paraprakisht të interesuarit për këtë udhëtim duhet të bëjnë rezervime përmes e-mailit ose numrit të telefonit: blerta.begolli@phm-west.org apo nermin.kastrati@phm-west.org ose në tel. +386 49 137 827 dhe +386 49 502 894.