Treni i ditëve të Trashëgimisë Evropiane – Turneu në Pejë dhe Deçan

Me datën 14 dhe 15 Shtator 2013, ka filluar projekti “Hajde” në mbështetje dhe promovim të kulturave të ndryshme në Kosovë dhe i sponsoruar nga Bashkimi Evropian dhe nga Këshilli i Evropës, në bashkëpunim të drejtpërdrejt me Ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë, me Trainkos Sh.A., me Infrakos Sh.A., Komuna e Pejës, Komuna e Deçanit dhe Shoqata për promovimin e Diversitetit Kulturor dhe organizuar nga Promovimi i Menaxhimit të Trashëgimisë – Perëndim – PMT.

Kompania Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh.A. ka ndihmuar këtë projekt duke dhënë në dispozicion dy trena motorik me të cilët udhëtarët do të udhëtojnë nga Prishtina në Pejë dhe anasjelltas.
Të shtunën me datën 14.09.2013 është nisur treni i parë i këtij Projekti ku ishte i pranishëm Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Ian Cliff, zv. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Hajdin Abazi, qytetarë të entive të ndryshme që jetojnë në Kosovë, qytetarë të shteteve të huaja të cilët janë në misione të ndryshme në Kosovë, si dhe nuk munguam as më të vegjlit, fëmijët e “Kopshtit të Ëndrrave”.

Gjatë tërë rrugës për në Pejë e cila zgjati përafërsisht 1 orë e 40 minuta, udhëtarët përjetuan një udhëtim të jashtëzakonshëm me muzikë të lehtë dhe me peizazhet e bukura natyrore të cilat i shoqëruan ata deri në Pejë. Gjithashtu të gjithë udhëtarëve iu janë shpërndarë falas ujë dhe nga një keks. Duhet theksuar po ashtu se për disponimin e udhëtarëve është përkujdesur kantautori, prof. Xhevat Kelmendi, i cili me kitarën e tij këndonte këngë të vjetra qytetare dhe këngë të ndryshme në gjuhë të huaja. Me të mbërritur në Pejë organizatorët (PMT – Perëndim) i mirëpriten të pranishmit dhe më pas i udhëzuan drejt autobusëve të cilët i dërguan për të vizituar Qendrën e Informimit për Turizëm “Porta West”, ku Kryetari i Komunës së Pejës, z. Ali Berisha, kishte dal për tu takuar me vizitorët. Vizitorët aty u njohën me punët artizanale dhe suveniret që ishin punuar nga qytetarët e rajonit të Dukagjinit si dhe me ushqim tradicional. Pjesëmarrësit më pas vizituan Patriarkanën e Pejës ku u njohën rreth historisë shumëvjeçare të saj, duke vazhduar më pastaj për te Muzeu Etnologjik. Më vonë ata vizituan edhe Xhaminë në qendër të Pejës “Qarshi Xhamia” për tu takuar sërish tek Sheshi “Haxhi Zeka” dhe për të vazhduar udhëtimin e tyre për te Burimi i Drinit të Bardhë dhe ujëvara në Radac.

Ky udhëtim përfundoi në mbrëmje ku pjesëmarrësit dukeshin të lodhur nga vendet e vizituara, ndërsa udhëtimi me tren nga stacioni i trenit në Pejë deri në Prishtinë ishte një relaksim dhe një çlodhje për ta.

Gjithashtu edhe të dielën me datën 15.09.2013, vazhdoi projekti “Hajde” në mbështetje dhe promovim të kulturave të ndryshme në Kosovë, ku tashmë destinacionet ishin tjera. Duhet theksuar se edhe ditën e dytë i pranishëm ishte Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Ian Cliff, dhe qytetarë të ndryshëm të cilët jetojnë në Kosovë apo thjesht janë në vizitë në Kosovë. Përveç Qendrës së Informimit për Turizëm “Porta West” si dhe Muzeut Etnologjik, pjesëmarrësit vizituan edhe Kullën e Ahmetxhekajve në Isniq, ku edhe ngrënën drekë me ushqime tradicionale (fli, leqenik, djathë, speca, kos, etj.), e më pastaj plaku i kullës i informoi për Historikun e Kullës. Nga kullat e Isniqit, ata u drejtuan për në Deçan ku vizituan “Mullirin e Shabanajve”. Në këtë mulli janë të ekspozuara edhe punët artizanale të grave, veshje kombëtare etj. Vizita e fundit që mbylli javën e parë të projektit “Hajde” ishte në Manastirin e Deçanit.

Gjatë realizimit të udhëtimit, pjesëmarrësit interesoheshin për funksionimin e trenave të udhëtarëve në territorin e Hekurudhave të Kosovës, gjegjësisht Trainkos-it. Po ashtu ata ishin të interesuar që të informoheshin edhe orarin e lëvizjes së trenave duke u fokusuar më tepër për qarkullimin e trenit të udhëtarëve në relacionet ndërkombëtarë. Për këtë ata u njoftuan për trenin ndërkombëtarë i cili qarkullon në relacionin Prishtinë – Fushë Kosovë – Hani i Elezit duke vazhduar më tutje për stacionin e Shkupit në Republikën e Maqedonisë.

Të gjithë të interesuarit njoftohen se ky tren për Promovimin e Menaxhimit të Trashëgimisë për rajonin e Dukagjinit, është në qarkullim edhe me datat 21, 22 dhe 28 e 29 Shtator 2013 me nisje nga Prishtina në ora 09:00, e paraprakisht të interesuarit për këtë udhëtim duhet të bëjnë rezervime përmes numrit të telefonit 044-137-827. Për tu informuar edhe për vendet të cilat do të vizitohen me datat e lartcekura, e keni edhe fletushkën e publikuar në faqen tonë zyrtare www.trainkos.com .