Ceremonia e përmbylljes së pjesës së trajnimeve të projektit RVO në ambientet e Hekurudhave të Kosovës – Trainkos Sh.A.

Më 14.06.2016, në ambientet e Hekurudhave të Kosovës -Trainkos Sh.A. në një ceremoni zyrtare u shpalos përfundimi i projektit “Programi i Trajnimit për Trainkos-in” (RVO). Të pranishëm në këtë ceremoni ishin përfaqësuesi i Ambasadës së Holandës në Prishtinë, z. Adrian Prenkaj, zëvendës ambasadori i Holandës në Shkup z. Peter Verheyen, udhëheqësi i projekteve ndërkombëtare që financohet nga shteti i Holandës z. Frank Buizer dhe zyrtarja për zhvillimin ekonomik nga ambasada e Holandës në Shkup znj. Emina Shkrijelj.

138

 

Të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti Kryeshefi Ekzekutiv Gelor Shala duke falënderuar qytetarët dhe Qeverinë holandeze për mbështetjen e këtij projekti hekurudhor: “Me këtë rast dëshirojë që të falënderoj popullin dhe Qeverinë e Holandës për mbështetjen dhe ndihmën e tyre ndaj vendit tonë e në veçanti për sektorin hekurudhor, më konkretisht kompaninë Trainkos Sh.A. e cila merret me operim me trena në dhe nga Republika e Kosovës. Në saje të vullnetit të mirë kemi gëzuar rezultatet e një projekti tejet të rëndësishëm për Ne. Projekti ‘Programi i Trajnimit për TRAINKOS-in’ i financuar nga Qeveria e Holandës, konkretisht nga Ministria e Punëve të Jashtme ka rezultuar në rritjen e përgatitjes në aspektin profesional sipas praktikave të avancuara dhe të aplikuara në Holandë”.

Menaxheri i projektit të kompanisë “IES Asset Management”  z. Diederik van Leeuwen, bëri prezantimin dhe të arriturat e projektit. Prezantimi është bërë me përmbajtjen që tregon periudhën e trajnimit të 51 punëtorëve të TRAINKOS-it në Modulet e ndara: Makinistët, Mirëmbajtje dhe Operim & Siguri. Konkretisht është shpjeguar për sfidat dhe qasjen, të gjeturat, faktorët kyç të suksesit dhe rekomandimet për të ardhmen si dhe mundësitë që mund të krijohen.

Në fund të takimit u propozua edhe ideja për organizimin e një konference nga mesi i muajit shtator në Prishtinë që është në kuadër të planeve përmbyllëse të këtij projekti. Temat kyçe të kësaj konference do të jenë zhvillimet në sektorin hekurudhor dhe angazhimet që duhet të ndërmerren gjatë proceseve në të ardhmen.